Shërbimeve emergjente të Kosovës i shtohen 16 autoambulanca të reja
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në kuadër të përpjekjeve për modernizimin e shëndetësisë janë siguruar autoambulanca të reja.
Ministria ka furnizuar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale me 17 autoambulanca të tipit Advance Life Support (ALS). Këto mjete janë të pajisura me teknologjinë më të avancuar, duke siguruar kushte optimale për transportin e pacientëve dhe trajtimin e tyre gjatë emergjencave. Ministri Vitia njoftoi se katër autoambulancat e fundit nga kjo kontratë tashmë kanë mbërritur dhe do të shpërndahen së shpejti.
Si pjesë e planeve për zgjerimin e kapaciteteve emergjente, Ministri Vitia ka nënshkruar një kontratë për furnizimin me 16 autoambulanca të tjera. Këto mjete moderne do të jenë të pajisura me të gjitha kushtet dhe pajisjet e nevojshme për trajtimin emergjent të pacientëve. Autoambulancat do të shpërndahen nëpër komuna, duke synuar të mbulojnë të gjitha zonat e Republikës së Kosovës dhe të përmirësojnë qasjen e qytetarëve në ndihmën emergjente shëndetësore.