Fillon vaksinimi kundër gripit sezonal në Suharekë
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka njoftuar se ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër gripit sezonal.
Sipas njoftimit, qytetarët mund të paraqiten për vaksinim në ambientet e QKMF-së, çdo ditë sipas orarit të punës, nga ora 08:00 deri në 16:00. Të gjithë personat që dëshirojnë të vaksinohen duhet të kenë me vete letërnjoftimin me numër personal.
Vaksinimi rekomandohet veçanërisht për grupet më të rrezikuara, përfshirë personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët me sëmundje kronike, personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë dhe profesionistët shëndetësorë.
Megjithatë, vaksinimi rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të mbrohen nga gripi sezonal.
Nga QKMF “Rexhep Kuçi” theksojnë se vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit, parandalimin e komplikimeve dhe uljen e rrezikut nga format e rënda të gripit.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të familjarëve duke shfrytëzuar mundësinë e vaksinimit.
