QKUK avancon trajtimin e kancerit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka filluar aplikimi i teknikës së avancuar të radioterapisë SBRT.
Përmes një postimi, Vitia ka njoftuar se kjo teknikë po aplikohet përmes akseleratorit linear Elekta Versa HD, duke mundësuar trajtim më preciz për pacientët me kancer.
Sipas tij, kjo metodë mundëson mbrojtje më të madhe të indeve të shëndosha dhe reduktim të numrit të seancave të trajtimit në rastet kur pacientët janë të përshtatshëm për këtë teknikë.
Vitia ka theksuar se ky avancim është rezultat i investimeve në teknologji moderne dhe ngritjes profesionale të stafit, duke e cilësuar si një hap drejt përmirësimit të shërbimeve onkologjike në sistemin publik shëndetësor.
Ai gjithashtu ka falënderuar fizikanët mjekësorë, onkologët radioterapeutë dhe teknikët e radioterapisë për punën dhe përkushtimin e tyre në trajtimin e pacientëve.
