Suhareka bëhet me QKMF të re moderne, investim 4 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë
Suhareka do të bëhet me një Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të re, pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Suharekës.
Foto: Ilustrim
Ministri i Shëndetësisë njoftoi se investimi, në vlerë prej 4 milionë euro, do të mundësojë ndërtimin e një objekti modern shëndetësor, i cili do të ofrojë kushte më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor.
Memorandumi u nënshkrua me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve të kujdesit parësor shëndetësor në këtë komunë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, projekti synon rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e hapësirave më funksionale për trajtimin e qytetarëve.
“Vazhdojmë me investime në kujdesin parësor shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
