299 raste me fruth në Kosovë, 30 të reja vetëm gjatë javës së fundit

50 min

Rastet me fruth në Kosovë po vazhdojnë të rriten, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar gjithsej 299 raste nga 16 prilli deri më 8 nëntor 2026.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 30 raste të reja, ndërsa fruthi është përhapur në 23 komuna të vendit. Pjesa dërrmuese e të prekurve janë fëmijë.

IKShPK bën të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.

Instituti thekson se vaksinimi mbetet masa kryesore për parandalimin e sëmundjes, e cila është shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Ndërkohë, gjatë këtij viti, përmes aktiviteteve të vaksinimit plotësues janë vaksinuar mbi 4 mijë e 69 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, të cilët nuk i kishin marrë vaksinat e parapara ose nuk i kishin përfunduar të dy dozat.

IKShPK u bën thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.

Instituti rikujton se vaksinimi në kohë është thelbësor për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndërprerjen e përhapjes së fruthit.