Arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal

21.10.2026

Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë njoftuar se kanë arritur vaksinat kundër gripit sezonal dhe se nga sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Sipas njoftimit, vaksinimi i qytetarëve do të nisë pas përfundimit të procesit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë përkatëse. Qytetarët këshillohen të kontaktojnë qendrat më të afërta të mjekësisë familjare për t’u informuar rreth datës së fillimit të vaksinimit në komunën e tyre.

MSH dhe IKSHPK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit veçanërisht për grupet me rrezik të lartë.

Përparësi gjatë vaksinimit rekomandohet të kenë:

• Personat mbi 65 vjeç;

• Personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin dhe sëmundjet e veshkave;

• Gratë shtatzëna;

• Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim;

• Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë;

• Profesionistët shëndetësorë dhe personat që ofrojnë kujdes shëndetësor.

Institucionet shëndetësore bëjnë të ditur se vaksinimi rekomandohet edhe për qytetarët e tjerë që dëshirojnë të mbrohen nga gripi sezonal.

Sipas tyre, vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme për uljen e rrezikut të komplikimeve, formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital.