Ministria e Shëndetësisë hap konkurs për 313 vende për specializim

5 orë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për 313 vende, duke shënuar kështu konkursin e katërt për specializim në më pak se katër vite.

Sipas Vitisë, përparësi në këtë konkurs u është dhënë lëmive deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale. Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare.

Risi e këtij konkursi do të jetë poentimi përmes sistemit digjital, ku kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të përcaktuara. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta.

Vitia ka paralajmëruar gjithashtu se së shpejti do të shpallet edhe një konkurs tjetër për shkollim specialistik, i cili do t’u dedikohet nevojave të institucioneve shëndetësore private.

“Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces!”, ka shkruar Vitia, duke u uruar suksese të gjithë kandidatëve.