Pas anulimit të tenderit për oksigjen, vjen reagimi nga Ministria e Shëndetësisë
Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani, ka reaguar pas anulimit të tenderit për furnizim me oksigjen medicinal nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), duke thënë se nuk ka arsye për shqetësim lidhur me furnizimin e institucioneve shëndetësore.
Sipas Elshanit, furnizimi aktual me oksigjen medicinal është i siguruar edhe për rreth një vit, ndërsa anulimi i tenderit ka ardhur si pasojë e çmimit të lartë të ofertuar.
Ai ka bërë të ditur se oferta e paraqitur në procedurën e prokurimit ka qenë pothuajse trefish më e lartë se çmimi real, duke bërë që kontrata të mos procedohej.
“Nuk ka hapësirë për shqetësim. Furnizim ka edhe për rreth një vit. Tenderi është anuluar pasi çmimi i ofertuar ka qenë gati trefish më i lartë se çmimi real”, ka deklaruar Elshani.
SHSKUK kishte njoftuar se procedura për furnizimin me oksigjen medicinal ishte anuluar pasi oferta e vetme e pranuar kishte tejkaluar ndjeshëm buxhetin e planifikuar për kontratën, e cila kishte vlerë të parashikuar prej 445 mijë e 567 euro.
