Prokuroria kërkon pamjet e kamerave të KQZ-së në Maqitevë për dyshime ryshfeti
Burime të SuharekaOnline bëjnë të ditur se Prokuroria ka kërkuar qasje në kamerat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të vendosura në qendrën e votimit në shkollën e fshatit Maqitevë të Suharekës.
Kjo kërkesë është bërë nën dyshimin për veprën penale të marrjes apo dhënies së ryshfetit në këmbim të votës. Hetimet janë në fazën fillestare dhe sipas burimeve, organet e rendit po analizojnë incizimet me qëllim identifikimin e personave të mundshëm të përfshirë në këtë rast.
Pamjet nga kamerat e vendosura në qendra të votimit shërbejnë si provë ligjore dhe janë pjesë e mekanizmave të transparencës të vendosura nga KQZ për monitorimin e procesit zgjedhor.
Aktualisht nuk ka konfirmim zyrtar nga Prokuroria apo KQZ, ndërsa SuharekaOnline do të vazhdojë të raportojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.