Banorët e lagjes “Vudro Vilson” në Suharekë ankohen për dëmtimin e asfaltit dhe rrjetit të ujësjellësit
Banorët e lagjes “Vudro Vilson” në Suharekë kanë ngritur shqetësime për dëmtimin e infrastrukturës publike gjatë punimeve për hapjen e një kanali, ku sipas tyre është prerë asfalti i një rruge që ishte shtruar vetëm gjashtë muaj më parë.
Sipas një ankese publike të bërë nga një banor, ndërhyrjet në këtë aks rrugor janë realizuar pa pëlqimin e banorëve, ndërsa gjatë punimeve pretendohet se janë dëmtuar edhe disa lidhje të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Në ankesë përmenden edhe kompanitë cilat akuzohen për dëmtimin e infrastrukturës. Banori shprehet se disa nga dëmtimet janë riparuar nga vetë kompania që ka kryer hapjen e kanalit.
Situata, sipas tij, është bërë edhe më shqetësuese për shkak të humbjes së konsiderueshme të ujit, e cila thuhet se po vazhdon tashmë prej dy ditësh, pa u ndërmarrë masa të mjaftueshme për zgjidhjen e problemit.
Për këtë çështje, banori ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse një hetim të detajuar dhe transparencë lidhur me lejen për realizimin e punimeve, mbikëqyrjen e tyre dhe përgjegjësinë për dëmtimin e infrastrukturës publike.
Ai kërkon gjithashtu të bëhet e ditur se kush do t’i mbulojë shpenzimet për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme.
Banori u ka bërë thirrje edhe qytetarëve, veçanërisht atyre të kësaj lagjeje, që të jenë më të vëmendshëm ndaj zhvillimeve, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të reagojnë dhe të mos lejojnë që dëmet në investimet publike të mbeten pa përgjegjësi.
