Zyba kërkon reagimin e Prokurorisë pas deklaratave të Daut Haradinajt

15.10.2026

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka reaguar pas deklaratave të Daut Haradinajt, duke kërkuar që Prokuroria të trajtojë informacionet që ai ka bërë publike lidhur me ngjarjet gjatë votimit në Kuvend.

Përmes një shkrimi, Zyba ka ngritur pikëpyetje nëse rrëfimi i detajuar i Haradinajt mund të lidhet me ndonjë plan të tij.

“Dauti paska folë kogja qartë, tash është koha e Prokurorisë të gjitha këto informacione që ky i paska pasur dhe ditur t’i trajtojë. Dhe rrëfimi kaq i detajizuar a del të jetë plan i tij apo si?”, ka shkruar Zyba.

Reagimi i tij vjen pas deklaratave të Daut Haradinajt, i cili pretendoi se kryeministri Albin Kurti kishte votuar nga frika dhe se atë natë asnjë deputet nuk do të mund të largohej nga Kuvendi pa u përfunduar votimi.

“Pa gjakderdhje askush s’ish dalë. Dhe këtë po e them me përgjegjësi të madhe. Nuk kemi qenë duke bërë hajgare. E kanë ditë me detaje. Të gjithë. Deputetët, kryeministri, ministrat…”, kishte deklaruar Haradinaj.

Zyba ka kërkuar që informacionet e përmendura në deklaratat e Haradinajt të trajtohen nga Prokuroria.