Sports Mole parashikon fitore të Kosovës ndaj Izraelit, “Dardanët” synojnë tri pikët në Prishtinë

10 orë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të përballet sot me Izraelin, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve, në një ndeshje që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 14:00.

Në prag të kësaj përballjeje, mediumi sportiv anglez “Sports Mole” ka publikuar parashikimin e tij për ndeshjen, duke i dhënë përparësi Kosovës dhe duke parashikuar fitore të saj me rezultat 2-1.

Sipas analizës së mediumit, Kosova ka zhvilluar një kampanjë më të mirë sesa Izraeli dhe hyn në këtë takim me pesë pikë nga katër ndeshje, duke u renditur në pozitën e dytë në Grupin B3. Në anën tjetër, Izraeli ndodhet në fund të tabelës me vetëm dy pikë.

“Dardanët” synojnë fitoren e parë pas tri ndeshjeve radhazi pa triumf në këtë edicion, ndërsa tri pikët do të ishin shumë të rëndësishme për objektivin e tyre drejt promovimit në Ligën A.

Sports Mole thekson gjithashtu se Kosova nuk ka pësuar asnjë humbje në tri përballjet e mëparshme me Izraelin, ku ka regjistruar një fitore dhe dy barazime.

Sa i përket formacionit të mundshëm, mediumi anglez pret që Kosova ta nisë ndeshjen me kapitenin Vedat Muriqi, Edon Zhegrovën dhe Baton Zabërgjën në repartin ofensiv.

Përballja e sotme pritet të jetë e rëndësishme për të dyja përfaqësueset, por Kosova synon ta shfrytëzojë faktorin vendas për të marrë tri pikët para tifozëve të saj.