Operacion ndërkombëtar në Kosovë: Sekuestrohen asete me vlerë 1 milion euro në hetim për pastrim parash
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të koordinuar ndërkombëtar që ka rezultuar me sekuestrimin e aseteve në vlerë rreth 1 milion euro.
Foto: Ilustrim
Operacioni është zhvilluar më 30 qershor 2026 në Prishtinë, si pjesë e një hetimi të gjerë për pastrim të parave që dyshohet se burojnë nga trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve. Hetimi është mbështetur nga autoritetet e Italisë dhe Francës, nën koordinimin e Europol dhe Eurojust.
Sipas autoriteteve, rasti përfshin një rrjet transnacional të krimit të organizuar, ndërsa veprimet në Kosovë janë ndërmarrë në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se detaje shtesë mbi rastin dhe ecurinë e hetimeve do të bëhen publike gjatë një konference për media që do të mbahet sot në orën 14:30, në ambientet e Prokurorisë Speciale në Prishtinë.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ka të arrestuar në këtë fazë të procedurës.
