Italia gjobit Metën me 805 milionë euro

3 orë

Autoritetet italiane kanë gjobitur kompaninë Meta me 805 milionë euro, pasi kanë konstatuar se ajo kishte qasje në fotografitë dhe videot e rreth 20 milionë përdoruesve të Android-it pa i informuar siç duhet dhe pa marrë pëlqimin e tyre të shprehur.

Sipas Autoritetit Italian për Mbrojtjen e të Dhënave, përmes një funksioni të aplikacionit Facebook, kompania mund të përdorte fotografitë dhe videot e ruajtura në galerinë e telefonave të përdoruesve për të krijuar sugjerime për publikime.

Rregullatori italian ka vlerësuar se njoftimi i dhënë nga Facebook nuk e bënte të qartë se autorizimi për qasje në galeri do të mundësonte edhe krijimin e sugjerimeve bazuar në përmbajtjen e fotografive dhe videove personale.

Përveç gjobës, Meta ka marrë edhe një afat prej 60 ditësh për ta çaktivizuar këtë funksion si parazgjedhje dhe për të kërkuar pëlqimin e veçantë të përdoruesve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se në përcaktimin e gjobës kanë ndikuar numri i madh i personave të prekur, vazhdimi i kësaj praktike për disa përdorues dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e kompanisë.

Kjo konsiderohet njëra ndër gjobat më të mëdha të shqiptuara ndonjëherë nga autoritetet italiane ndaj një gjiganti të teknologjisë.

Meta, e cila zotëron gjithashtu Instagramin dhe WhatsApp-in, ende nuk ka dhënë një koment publik lidhur me këtë rast, ndërsa BBC ka kontaktuar kompaninë për të marrë qëndrimin e saj.