Prokuroria e Prizrenit konfirmon hetimet ndaj një zyrtari në Komunën e Suharekës

para 47 dite

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka konfirmuar hetimet ndaj një zyrtari të Komunës së Suharekës, që është ngritur si temë në mbledhjen e fundit të KPF-së.

Prokuroria e Prizrenit konfirmon hetimet ndaj një zyrtari në Komunën e Suharekës

Në mbledhjen e datës 26.11.2024 të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Suharekës, ndër pikat e rendit të ditës ka qenë edhe diskutimi rreth një procedure për dhënie në shfrytëzim të një parcele të vendosur në një zonë strategjike të qytetit.

Drejtori i Pronës dhe Kadastrës, Armend Krasniqi, ka propozuar që kjo parcelë të jepet në shfrytëzim për ndërtim banesash, kështu komuna do të përfitojë banesa të reja në këmbim të tokës.

Megjithatë, ky propozim ka ngjallë dyshime te disa anëtarë të KPF-së. Liridon Fandaj nga LVV-ja ka theksuar se një pjesë e kësaj parcele është ndarë në shkurt të vitit 2023, duke ngritur pyetjen nëse kjo ndarje është bërë me qëllim që të lehtësohet dhënia e saj në shfrytëzim.

“Cila ka qenë arsyja për këtë ndarje? Mos ka qenë arsyja pikërisht për këtë që sot ne me ia përshtat dikujt dhe me ia dhënë 348 metra katrorë?”, ka pyetur Fandaj.

Krasniqi ka mbrojtur vendimin e mëparshëm të Kuvendit për ndarjen e parcelës, duke argumentuar se është bërë në përputhje me ligjet në fuqi dhe se një pjesë e tokës është lënë për një rrugë. Megjithatë, ai ka pohuar se lënda është duke u hetuar, por ka theksuar se hetimi nuk ka të bëjë me këtë rast.

Këto deklarata kanë rritur dyshimet e disa anëtarëve të KPF-së, të cilët kanë kërkuar që të mos merret një vendim për këtë çështje derisa të përfundojë hetimi i Prokurorisë.

“Nëse ka një hetim për këtë lëndë dhe asnjëri vendim nuk është bashkangjitur në lëndë atëherë kjo të lë me dyshu”, ka thënë Fandaj.

Avokati i Komunës, Avni Bytyqi, ka pohuar se fakti që ka një hetim penal nuk pengon të vazhdohet me procedurat e rregullta. Megjithatë, ai ka pranuar se nuk ka parë vendimin e mëparshëm të Kuvendit për ndarjen e parcelës.

Pas konsumimit të debatit anëtarët e KPF-së me 6 vota për dhe një abstenim kanë votuar këtë pikë të rendit të ditës.

Lidhur me pohimet e drejtorit të Kadastrës se është duke u zhvilluar një proces hetimor [por jo për këtë rast], e konfirmon edhe Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Në një përgjigje për SuharekaOnline nga Prokuroria Themelore e Prizrenit është konfirmuar se është duke u hetuar një kallëzim penal kundër një zyrtari të Komunës së Suharekës. Kjo është bërë e ditur përmes një përgjigjeje zyrtare të dhënë nga zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti-Sejrani.

Rasti në fjalë, me numrin e referencës [REDAKTUAR] është aktualisht në fazën e hetimeve. Sipas Mehmeti-Sejranit, prokurori i çështjes ka ndërmarrë veprime për të siguruar prova shtesë, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë është në fazën e hetimeve, mund t’iu konfirmojmë se prokurori i rastit, pas aktvendimit për fillimin e hetimeve ka ndërmarrë veprime tjera drejt sigurimit të provave tjera relevante, si personale ashtu edhe materiale, të cilat do t’i kontribuojnë ndriçimit të plotë të këtij rasti” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Etiketat

Ofertat e fundit