Kur duhen votat janë ‘hero’, sot pa paga e pa dinjitet
Punëtorët e pastrimit, të cilët shpesh janë paraqitur si simbol i përkushtimit dhe punës në çdo fushatë zgjedhore, sot po përballen me një realitet krejt tjetër – mungesë pagash dhe trajtim jo dinjitoz.
Foto: Ilustrim
Në Komunën e Suharekës, punëtorët e EKO-Regjionit kanë hyrë në grevë, duke ngritur shqetësime serioze për mos ekzekutimin e pagave dhe mungesën e rritjes së tyre.
Ata thonë se situata është bërë e papërballueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetesën e tyre dhe të familjeve.
Ironia, sipas tyre, qëndron në faktin se në periudha fushatash këta punëtorë janë gjithmonë të pranishëm në takime publike, në fotografi dhe aktivitete me përfaqësues institucionalë, ku prezantohen si “hero” të qytetit.
Por sapo përfundojnë fushatat, përkrahja dhe vëmendja ndaj tyre zbehet.Punëtorët theksojnë se nuk kërkojnë privilegje, por vetëm atë që u takon: paga të rregullta dhe kushte të dinjitetshme pune.
Ata kërkojnë zgjidhje urgjente dhe reagim konkret nga institucionet përgjegjëse, pasi, siç shprehen, “me fotografi nuk paguhen faturat”.
Ndërkohë, pasojat e grevës tashmë janë të dukshme në terren, me grumbullimin e mbeturinave në disa pjesë të qytetit, duke dëshmuar qartë rolin jetik që kanë këta punëtorë në funksionimin e përditshëm të komunës.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa punëtorët presin që zëri i tyre të dëgjohet – jo vetëm në kohë fushatash, por edhe në realitetin e përditshëm.
