Katër ditë para betimit si kryetar komune dhe në prag të zgjedhjeve, Muharremaj takohet me bashkëpartiakët
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vazhduar aktivitetet e tij të përditshme politike, teksa të premten në mëngjes është takuar me bashkëpartiakët e degës së AAK-së në Suharekë.
Foto: Ilustrim
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Muharremaj përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar fotografi nga takimi dhe ka falënderuar mbështetësit për, siç ka thënë, dashurinë dhe bashkimin që mbretëron në Suharekë.

Në këtë takim shihet se të pranishëm kanë qenë edhe tre kandidatët për deputetë nga Suhareka: Albana Bytyçi, Refki Bytyçi dhe Burim Ramadani.
Po ashtu, pjesë e mbledhjes ka qenë edhe Shefket Kuçi, si dhe anëtarë të tjerë të degës së AAK-së në Suharekë.

Takimi vjen vetëm katër ditë para betimit të Muharremajt për mandatin e tij të tretë si kryetar të Suharekës dhe vetëm pak javë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të cilat pritet të jenë vendimtare për subjektet politike në vend.
Në postimin e tij, Muharremaj ka shprehur edhe një herë lidhjen emocionale me qytetin, duke shkruar:
“Suharekë, Faleminderit
Ti je vendi ku rritet dashnia, ku bashkohet zemra e ku lind krenaria.
Në çdo rrugë ka histori, në çdo zemër ka Suharekë.”
Ndërkohë, aktivitetet politike të kryetarit pritet të intensifikohen në ditët në vijim, si në kuadër të betimit të tij, ashtu edhe të fushatës së partisë në prag të zgjedhjeve të fundvitit.