ZPS kërkon që Gucati e Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë

08.03.2022

Këtë propozim, ZPS e ka bërë në pjesën ku diskutohet për dënimin që konsideron se duhet t’iu shqiptohet të akuzuarve, në dosjen e tyre përfundimtare që përbëhet nga plot 156 faqe, raporton “Betimi për Drejtësi”. Fillimisht, thuhet se duke marrë parasysh diapazonin e dënimit të zbatueshëm dhe faktorët e përcaktuar më sipër, në veçanti peshën […]

ZPS kërkon që Gucati e Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë Foto: Ilustrim

Këtë propozim, ZPS e ka bërë në pjesën ku diskutohet për dënimin që konsideron se duhet t’iu shqiptohet të akuzuarve, në dosjen e tyre përfundimtare që përbëhet nga plot 156 faqe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, thuhet se duke marrë parasysh diapazonin e dënimit të zbatueshëm dhe faktorët e përcaktuar më sipër, në veçanti peshën më të madhe të sjelljes së të akuzuarve, rrethanat e shumta rënduese, mungesën e ndonjë rrethane lehtësuese, rëndësinë vendimtare të parandalimit dhe nevojën për një dënim me burg dhe duke pasur parasysh se në pajtim me rregullin 163 (4), paneli duhet së pari të përcaktojë një dënim në lidhje me secilën akuzë në aktakuzë.

ZPS ka kërkuar që paneli të shqiptojë dënimet e mëposhtme për secilin të akuzuar: pesë vite burgim për akuzën e parë, pesë vite burgim për akuzën e dytë, gjashtë vite burgim dhe gjobë prej 100 euro për akuzën e tretë, tre vite burgim dhe 100 euro gjobë për akuzën e katërt, një vit për akuzën e pestë dhe pesë vite për akuzën e gjashtë.

“Rregulli 163(4) kërkon që Paneli të shqiptojë një dënim të vetëm që pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të të Akuzuarit, me një dënim të vetëm që nuk duhet të jetë më i vogël se dënimi më i lartë individual i përcaktuar në lidhje me secilën akuzë. Mbetet e hapur për Panelin që të dënojë të Akuzuarin me kushtet e burgimit të përcaktuara në lidhje me Pikat 1-6 në mënyrë kumulative, ose me një dënim më të lartë me burgim se ai i përcaktuar në lidhje me ndonjë pikë specifike”, thotë ZPS.

Tutje, thuhet se për të pasqyruar tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarve, ZPS kërkon një dënim të vetëm për secilin të akuzuar me gjashtë vjet burgim dhe gjobë prej 100 euro.

“Gjoba duhet t’i paguhet regjistruesit si një shumë e madhe brenda një muaji. Mospagimi i gjobës brenda këtij afati duhet të rezultojë në vazhdimin e një muaji burgim”, thuhet nga ZPS.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi