Specialja refuzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit

7 orë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë publikuar versionin e redaktuar të një vendimi, përmes të cilit është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi që deklarata e një dëshmitari të pranohej vetëm si provë me shkrim.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, vendimi ishte marrë në tetor të vitit 2025, ndërsa versioni publik i tij është bërë i disponueshëm më 19 tetor 2026, raporton Ekonomia Online, transmeton SuharekaOnline.

Trupi Gjykues ka vlerësuar se deklarata e dëshmitarit përmbante informacione lidhur me sjelljen e drejtpërdrejtë të disa të akuzuarve, si dhe me besueshmërinë e dëshmitarëve të mëparshëm.

Për këtë arsye, gjykatësit kanë konsideruar të nevojshme që dëshmitari të jetë i pranishëm në gjykatë, në mënyrë që të mund t’u përgjigjet pyetjeve të palës kundërshtare.

Rrjedhimisht, mbrojtjes së Thaçit i është kërkuar të sigurojë informacionin e nevojshëm për paraqitjen e dëshmitarit në sallën e gjyqit.

Ndërkohë, Gjykata Speciale ka rikujtuar se më 17 nëntor është caktuar shqiptimi i aktgjykimit në çështjen e veçantë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për ndikim të pretenduar ndaj dëshmitarëve.

Afati për regjistrimin e qytetarëve dhe përfaqësuesve të mediave që dëshirojnë ta ndjekin seancën nga galeria e publikut në Hagë përfundon më 27 tetor, në orën 16:00.

Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se gjatë vizitave në objektin e paraburgimit u kishte dhënë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë, me qëllim ndikimin në dëshmitë e tyre.

Gjykimi për këtë çështje ka nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa deklaratat përmbyllëse janë mbajtur nga 10 deri më 14 shtator. Gjatë procesit gjyqësor kanë dëshmuar katër dëshmitarë.