PDK-ja pritet sot të dorëzojë në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet që sot të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Foto: Ilustrim
Sipas burimeve të KosovaPress-it, kjo nismë vjen pas shtimit të diskutimeve politike për funksionimin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Trupi Gjykues i shpalli ata fajtorë për disa akuza, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se Prokuroria e Specializuar nuk kishte dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik ndaj popullatës civile.
Pas aktgjykimit, PDK-ja ka zhvilluar diskutime për hapat e mëtejshëm lidhur me Dhomat e Specializuara. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku është diskutuar për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas vendimit të Gjykatës.
Ndërkohë, është theksuar edhe mundësia që aktgjykimi të ndryshojë në procedurën e apelit.
