Hamza takohet me Kurtin në Qeveri, një ditë para seancës së Kuvendit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është parë duke dalë nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti.
Foto: Ilustrim
Sipas raportimeve të mediave, gjatë ditës Kurti ka zhvilluar takime edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare rreth përmbajtjes së këtyre takimeve.
Takimet me liderët opozitarë zhvillohen një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së.
PDK-ja ka proceduar gjithashtu kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo çështje do të trajtohet në seancën e nesërme.
Seanca vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë. Në të njëjtin vendim, Gjykata ka përcaktuar 6 tetorin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
