Sot Dita Botërore e Kryqit të Kuq, motoja e këtij viti: “Ta mbajmë gjallë humanitetin”

08.05.2025

Sot, 8 maj, shënohet Dita Botërore e Kryqit të Kuq, një ditë kushtuar nderimit të punës dhe përkushtimit të miliona vullnetarëve dhe punonjësve humanitarë të këtij organizmi global.

Motoja zyrtare e këtij viti është “Ta mbajmë gjallë humanitetin”.

Kjo moto shërben si një thirrje për të vlerësuar dhe reflektuar mbi angazhimin e atyre që, shpesh në rrethana të vështira dhe të rrezikshme, ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë. Puna e tyre e paepur ruan dinjitetin njerëzor dhe sjell shpresë në kohë krizash të ndryshme.

Sipas RTKlive, mesazhi kryesor i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe këtë vit është qëndrimi në anën e njerëzimit. “Çdo ditë, në komunitetet anembanë botës, vullnetarët dhe stafi i Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe zgjedhin të qëndrojnë në anën e njerëzimit. Në këtë 8 maj, ne nderojmë përkushtimin e tyre të palëkundur – ndaj komuniteteve të cilave u shërbejnë, parimeve që ata mbështesin dhe njerëzve që ata ndihmojnë dhe mbrojnë,” thuhet në mesazhin e organizatës.

Data 8 maj është zgjedhur posaçërisht, pasi në këtë ditë ka lindur themeluesi i Kryqit të Kuq, Henry Dunant, një figurë e rëndësishme që mori edhe Çmimin e parë Nobel për Paqe për kontributin e tij humanitar.

Dita e Kryqit të Kuq u shënua për herë të parë në vitin 1948. Pas disa ndryshimeve në emër, ajo mori emrin aktual, Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në vitin 1984, duke përfshirë kështu edhe shoqëritë e Gjysmëhënës së Kuqe që operojnë në shumë vende me shumicë myslimane.