Komisioni Evropian dënon dhunën në Shqipëri
Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke dënuar ashpër aktet e dhunës, zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Në deklaratën zyrtare të publikuar më 18 tetor 2026, Komisioni Evropian thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, ndërsa reagimi ndaj saj duhet të jetë gjithmonë brenda kornizave ligjore dhe proporcional.
Sipas KE-së, personat përgjegjës për aktet e dhunshme duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procedurave të rregullta ligjore.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në deklaratë.
Komisioni Evropian ka mirëpritur gjithashtu zotimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet.
Në fund, institucioni evropian rikujton se Shqipëria, si vend kandidat që ka shënuar përparim të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duhet t’i trajtojë pakënaqësitë përmes dialogut konstruktiv dhe mjeteve paqësore.
