Gjendja në kufirin e Kroacisë, ambasada: Procedurat mund të vonohen për shkak të sistemit EES
Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb njofton se po e përcjell me vëmendje situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë dhe me Malin e Zi. Përfaqësues të ambasadës kanë qenë të pranishëm në këto pika, duke siguruar koordinim dhe informim të vazhdueshëm për qytetarët kosovarë.
Foto: Ilustrim
Situata aktualisht paraqitet e qëndrueshme. Sipas njoftimit, pas një bisede telefonike ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe homologut të tij kroat, z. Davor Božinović, të gjitha sportelet në kalimet kufitare të Kroacisë janë hapur, duke lehtësuar qarkullimin e udhëtarëve.
Megjithatë, për shkak të zbatimit të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), disa procedura të kalimit kufitar mund të jenë më të ngadalësuara. Ky sistem i ri digjital i Bashkimit Evropian regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen dhe ka hyrë në funksion më 12 tetor 2025.
Ambasada u bën thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë që udhëtojnë drejt Kosovës për festat e fundvitit të planifikojnë kohën e kalimit kufitar dhe u uron udhëtim të sigurt, shëndet dhe festa të mbarë pranë familjeve të tyre.