36 raste me fruth në Kosovë, prindërit rikthehen te vaksinimi i fëmijëve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar 36 raste të fruthit gjatë periudhës 16 prill deri më 15 qershor 2026, ndërsa rritja e rasteve ka ndikuar në shtimin e interesimit të prindërve për vaksinimin e fëmijëve.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të IKShPK-së, rastet janë regjistruar në disa komuna të Kosovës, me numrin më të madh në Ferizaj me 10 raste, pasuar nga Prishtina me 8 dhe Kaçaniku me 6 raste. Raste janë raportuar edhe në Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Vushtrri, Gjilan, Shtime dhe Deçan.
Pas përhapjes së fruthit, qendrat e vaksinimit kanë shënuar fluks më të madh të prindërve që po kërkojnë të imunizojnë fëmijët e tyre. Mjekët theksojnë se vaksinimi në kohë është mënyra më e mirë për mbrojtje nga kjo sëmundje ngjitëse.
“Ditëve të fundit është vërejtur një interesim më i madh i prindërve për vaksinat e rregullta të fëmijëve, veçanërisht pas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore”, kanë bërë të ditur profesionistët shëndetësorë.
Fruthi zakonisht shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrufë, skuqje të syve dhe më pas me puçrra që përhapen në të gjithë trupin. Infektologët paralajmërojnë se në raste të caktuara sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze.
Mjekët kanë rikujtuar gjithashtu se pretendimet për një lidhje mes vaksinës kundër fruthit dhe autizmit nuk kanë bazë shkencore dhe kanë bërë thirrje që prindërit të mos hezitojnë në vaksinimin e fëmijëve.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve që në rast të simptomave të dyshimta të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.
