Hapet aplikimi për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka hapur afatin e aplikimit për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2027.
Përmes këtij programi, familjet që i plotësojnë kriteret e përcaktuara do të mund të përfitojnë mbështetje financiare përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike.
Aplikimi bëhet online përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”, në këtë link: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1
Ndërkaq, familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike mund të kërkojnë ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.Afati i aplikimit ka filluar më 19 tetor 2026 dhe do të jetë i hapur deri më 31 mars 2027.
Sipas njoftimit të ministrisë, subvencionimi fillon nga muaji në të cilin aprovohet aplikimi dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për këtë arsye, familjeve u rekomandohet që të aplikojnë sa më herët.
Aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe lidhet vetëm me një njehsor elektrik. Të dhënat e deklaruara gjatë aplikimit do të verifikohen nga institucionet përkatëse, ndërsa deklarimi i pasaktë ose i paplotë mund të çojë në refuzimin e aplikimit ose kthimin e mbështetjes së përfituar.
Kriteret dhe detajet e plota të programit mund t’i gjeni në faqen zyrtare të ministrisë përmes këtij linku: https://mpfvlc.rks-gov.net/njoftimet/programi-per-mbrojtjen-e-konsumatoreve-te-cenueshem-te-energjise-elektrike-ne-kosove-2026-2027/
Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 038 200 27 277 ose përmes emailit [email protected].
