Ndihma humanitare e Kosovës mbërrin në Gaza, nis shpërndarja për familjet në nevojë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për popullin e Gazës ka mbërritur me sukses në destinacion dhe se shpërndarja e saj ka nisur menjëherë për familjet në nevojë.
Sipas Gërvallës, konfirmimi për mbërritjen e ndihmës është marrë gjatë ditës së djeshme, ndërsa shpërndarja po realizohet përmes partnerëve humanitarë që veprojnë në terren. Ajo ka theksuar se ndihma është dedikuar për të mbështetur qytetarët e Gazës në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë humanitare, kur mungojnë edhe gjërat më elementare për jetesë.
Dërgesa humanitare e Kosovës ka një vlerë totale prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda për strehim emergjent, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë. Sipas ministres, kjo ndihmë synon të lehtësojë sadopak gjendjen e familjeve të prekura, me theks të veçantë te fëmijët dhe të moshuarit.
Në deklaratën e saj, Gërvalla ka theksuar se, ndonëse kjo ndihmë nuk mund ta zëvendësojë dhimbjen dhe humbjet e mëdha që po përjeton populli i Gazës, ajo shpreson që të shërbejë si një mbështetje minimale dhe si shprehje solidariteti nga qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, ministrja ka shprehur mirënjohje të veçantë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij operacioni humanitar, i cili bëri të mundur dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmës në kohë.