Këtë javë nisin pagesat për fermerët nga skema e Pagesave Direkte 2026

19.10.2026

Ministria e Bujqësisë njofton se këtë javë do të fillojë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për fermerët që kanë aplikuar në kuadër të programit të Pagesave Direkte 2026. Për këtë vit janë pranuar gjithsej 33,460 aplikime, ndërsa shqyrtimi administrativ dhe kontrollet në terren kanë përfunduar.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), pagesat për sipërfaqet bujqësore do të realizohen paralelisht me publikimin e listave të përfituesve. Pas kësaj faze, do të vazhdohet me pagesat për skemat e tjera të mbështetjes.

Fermerët që kanë kultivuar grurë do të përfitojnë mbështetje për sipërfaqet e mbjella, plehun artificial dhe shpenzimet e naftës, sipas normave dhe shumave të aplikuara në vitet e mëparshme.

Ndërkaq, mbështetja për kilogram të grurit është skemë e veçantë dhe vlen vetëm për fermerët që e kanë dorëzuar grurin në mullinj. Kjo skemë nuk ndikon në pagesat për sipërfaqet bujqësore.

Për aplikimet e vitit 2026, pragu minimal i rendimentit për grurin është përcaktuar në 3,225 kilogramë për hektar, në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 02/2026.

Ministria ka sqaruar gjithashtu se vendimi për përcaktimin e rendimentit mesatar kombëtar bazohet në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe lidhet me përgatitjen e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2027. Ky vendim nuk ndikon në aplikimet e pranuara për vitin 2026.