Qeveria të hënën pritet të zhbllokojë mjetet vetanake për komunat

23.05.2023

Qeveria e Kosovës të hënën e ardhshme pritet të miratojë ndryshimin e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023. Ky ndryshim pritet t’i paraprijë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave. Kështu ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Konjufca pret po […]

Qeveria të hënën pritet të zhbllokojë mjetet vetanake për komunat Foto: Ilustrim

Qeveria e Kosovës të hënën e ardhshme pritet të miratojë ndryshimin e nenit 9 paragrafi 6 të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Ky ndryshim pritet t’i paraprijë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave.

Kështu ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Konjufca pret po ashtu që këto ndryshime për ligjin e buxhetit, të mundësojnë ndryshimin e qasjes së opozitës për votim në kuvend.

Ai theksoi se plotësim ndryshimi i Ligjit për Buxhetin, do t’i mundësojë Thesarit të veproj në drejtim të zhbllokimit të atyre mjeteve, të cilat komunat pretendojnë që janë të tyre dhe janë edhe një e drejt Kushtetuese që nuk mund t’i merr askush ato të hyra.

“Ata (opozita) e kanë vendosur kusht çështjen e bllokimit të të hyrave vetanake të komunave dhe nëse kjo zgjidhet do të kemi punën shumë më të lehtë të Kuvendit. Krejt kjo sqarohet të hënën në mëngjes kur qeveria e ka mbledhjen e saj dhe të shohim nëse po e procedon atë plotësim ndryshim të ligjit, prej atij plotësim ndryshimit, pastaj do të mundësohet që thesari të veproj në drejtim të zhbllokimit të atyre mjeteve, të cilat komunat pretendojnë që janë të tyre dhe janë edhe një e drejt kushtetuese që nuk mund t’i merr askush ato të hyra. Thjesht janë bllokuar për shkak të një mënyre si është formuluar një amandament në Projektligjin për buxhetin, kështu që nëse kjo çështje zhbllokohet ne e patëm premtimin nga opozita që do ta ndryshojnë qasjen e tyre ndaj votimit nëse kjo çështje zgjidhet nga Qeveria”, tha ai.

Pas ndryshimeve ligjore në Qeveri, Ligji për Buxhetin 2023 për plotësim ndryshim pritet të shqyrtohet në Kuvend të Kosovës.

Kërkesa e kryetarëve të komunave është që bilancet e pashpenzuara te të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022 dhe nga vitet paraprake, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK si ndarje buxhetore për një komunë, të ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës.