Qeveria prezanton politikat mbështetëse 2021–2026 për qytetarët dhe familjet
Qeveria ka prezantuar një përmbledhje të politikave, vendimeve dhe masave mbështetëse të realizuara gjatë periudhës 2021–2026, duke theksuar rritjen e mbështetjes sociale, pagave, pensioneve dhe subvencioneve për kategori të ndryshme të qytetarëve.
Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të publikuara, që nga shtatori i vitit 2021 kanë nisur shtesat për lehona dhe fëmijë, ndërsa në vazhdimësi janë ndërmarrë pako mbështetëse kundër inflacionit, rritje të pensioneve dhe pagës minimale, si dhe subvencione për sektorin privat e publik.
Në mesin e masave kryesore përfshihen:
Rritja e pagës minimale nga 130/170 euro në 350 euro në vitin 2024 dhe në 500 euro nga korriku i vitit 2026;
Rritja e pensioneve bazike nga 120 euro në 150 euro;
Rritja e shtesave për lehona deri në 500 euro në muaj;
Zgjerimi dhe rritja e shtesave për fëmijë;
Mbështetje financiare për pensionistë, studentë dhe familje përmes pakove kundër inflacionit;
Rritja e pagave në sektorin publik dhe hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave;
Heqja e kufizimeve për veteranët e UÇK-së që punojnë në sektorin privat.
Po ashtu, janë rritur ndjeshëm pensionet dhe përfitimet për familjet e dëshmorëve, të zhdukurve, invalidëve të luftës, viktimave civile dhe viktimave të dhunës seksuale të luftës.
Qeveria ka theksuar se këto masa synojnë përmirësimin e mirëqenies sociale, mbështetjen e familjeve dhe fuqizimin ekonomik të qytetarëve në të gjithë vendin.
