Qeveria ndan grante për 643 përfitues në sektorin agro-përpunues
Qeveria e Kosovës ka shpallur 643 fermerë dhe ndërmarrës si përfitues të granteve në industrinë agro-përpunuese, nga gjithsej 1,200 aplikantë në këtë thirrje publike, duke e cilësuar këtë si një nga proceset më të mëdha të mbështetjes së drejtpërdrejtë në sektorin bujqësor në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth 35 për qind e përfituesve janë gra, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre janë të rinj që po e shohin bujqësinë dhe sipërmarrjen rurale si mundësi të qëndrueshme për të ardhmen e tyre profesionale dhe ekonomike.
Programi mbështet sektorë me potencial të lartë zhvillimor si agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore, prodhimi i mjaltit, kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, si dhe akuakultura dhe aktivitete të tjera që synojnë rritjen e vlerës së shtuar në ekonominë vendore.
Qeveria thekson se përmes këtij programi Kosova po kalon nga një vend që vetëm përfiton ndihmë ndërkombëtare, në një partner bashkinvestues në skema të mëdha zhvillimore.
Në këtë proces, rol të rëndësishëm kanë Qeveria e Gjermanisë, Ambasada Gjermane dhe GIZ-i, të cilët prej vitesh mbeten partnerë në mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Në vlerësimin e ekzekutivit, gjatë periudhës së qeverisjes janë alokuar mbi 350 milionë euro mbështetje direkte për rreth 150 mijë përfitues në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke e vendosur fermerin dhe bujkun në qendër të politikave publike.
Sipas të dhënave zyrtare, bujqësia, përfshirë pylltarinë, gjuetinë dhe peshkimin, përbën rreth 7.3 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke mbetur një nga sektorët kryesorë të ekonomisë së Kosovës.
Po ashtu, theksohet rëndësia e sigurisë ushqimore për shëndetin e qytetarëve, duke kërkuar më shumë kontroll dhe analiza të produkteve ushqimore. Qeveria ka bërë të ditur se do të mbështesë standardizimin dhe certifikimin e prodhuesve vendorë, me qëllim rritjen e cilësisë, forcimin e eksportit, zëvendësimin e importeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet evropiane. Sipas ekzekutivit, suksesi i fermerëve dhe sipërmarrësve konsiderohet drejtpërdrejt edhe sukses i ekonomisë së Republikës së Kosovës.
