Bytyqi kritikon mbledhjen online të Qeverisë: Vendimet për komisionet e pranimit, politizim i institucioneve
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës lidhur me emërimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese në disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend.
Foto: Ilustrim
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bytyqi ka deklaruar se pushteti po shfrytëzon vëmendjen e opinionit publik me tema të tjera, siç është prania e diasporës në Kuvend, për të kaluar në prapaskenë vendime që sipas saj dëmtojnë profesionalizmin e institucioneve.
“I solli diasporën në Kuvend, për ta marrë vëmendjen e opinionit publik, ndërkohë në prapaskenë shkatërron Institucione të rëndësishme Profesionale, duke i mbushur me militant joprofesionist!” — ka shkruar Bytyqi., Deputetja ka publikuar edhe dokumentet e vendimeve të marra nga mbledhja online e Qeverisë, ku përfshihen emërimet e Komisioneve të Pranimit për pozita kyçe si:
Drejtor Ekzekutiv në Thesarin e Kosovës
Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Standardizim
Kryeinspektor në Inspektoratin e Tregut
Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Pronësi Industriale
Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Siguri Kibernetike
Sipas Bytyqit, këto lëvizje janë pjesë e një politike për sistemimin e militantëve partiakë në pozita strategjike menaxhuese.
