Pilotët e FSK-së përfundojnë trajnimin rifreskues me helikopter në Turqi
Tre pilotë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses një trajnim rifreskues me helikopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Isparta të Republikës së Turqisë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve.
Oficerët e FSK-së – major Afrim Zabeli, kapiten Atdhe Hasani dhe kapiten Krenar Voca – kaluan me sukses fazat e trajnimit, i cili përfshinte elemente të avancuara të fluturimeve praktike, përfshirë skenarë emergjentë dhe operacione taktike.
Ky trajnim nuk ishte thjesht një përditësim teknik, por një përforcim i përgjegjësisë profesionale që këta pilotë bartin në përditshmëri, duke reflektuar standardin e lartë që përfaqëson FSK-ja në angazhimet ndërkombëtare.
Gjatë trajnimit, pilotët kishin gjithashtu mundësinë të shkëmbenin përvoja me kolegët e tyre nga Forcat e Armatosura të Turqisë, duke forcuar më tej bashkëpunimin profesional dhe ushtarak mes dy shteteve.
Republika e Turqisë vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në fusha të ndryshme, përfshirë atë ajrore. Përmes bashkëpunimeve të tilla, FSK-ja jo vetëm që përmirëson aftësitë teknike të pjesëtarëve të saj, por rrit edhe ndërveprueshmërinë me partnerët ndërkombëtarë, duke ndërtuar themelet e një ushtrie moderne, të aftë dhe të përgatitur.