Kosova nënshkruan marrëveshjen për pjesëmarrjen e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza
Kosova ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt pjesëmarrjes në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri, duke nënshkruar Marrëveshjen e Participimit për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gaza.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të Komandantit të ISF-së në Gaza, Gjeneral Major Jasper Jeffers, në prani të Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përfaqësuesve të Bordit të Paqes dhe Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjeneral Major Jeffers vlerësoi vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Ndërkaq, Gjenerallejtënant Jashari tha se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Sipas FSK-së, synimi është që Kosova të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me objektivin strategjik për të kaluar nga një importuese e sigurisë në eksportuese të saj, në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Nënshkrimi i marrëveshjes konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e rolit të Kosovës në misionet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.
