Hapet sezoni i gjuetisë në Kosovë nga 25 tetori, Ministria apelon respektimin e rregullave
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë 2026–2027, i cili do të nisë më 25 tetor 2026.
Sipas Ministrisë, hapja e sezonit synon menaxhimin e kontrolluar të kafshëve të egra, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke pasur parasysh edhe dëmet që fauna e egër mund t’u shkaktojë kulturave bujqësore dhe pronave të qytetarëve.
Aktivitetet e gjuetisë do të lejohen vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nga menaxherët e vendgjuetive që kanë plane të miratuara dhjetëvjeçare dhe vjetore të menaxhimit. Gjuetia do të mund të zhvillohet vetëm për llojet e caktuara të kafshëve dhe shpezëve të egra, sipas kalendarit të përcaktuar dhe rregullave për mbrojtjen e faunës.
Ministria thekson se respektimi i kufizimeve ligjore është i domosdoshëm për të parandaluar gjuetinë e paligjshme, për të mbrojtur llojet e rrezikuara dhe për të shmangur dëmtimin e ekosistemeve.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë gjatë përdorimit të armëve, ndërsa zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Departamenti Qendror i Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti dhe institucionet e tjera kompetente.
Në fund, Ministria u ka bërë thirrje gjuetarëve dhe menaxherëve të vendgjuetive që të respektojnë të gjitha rregullat ligjore dhe të bashkëpunojnë me organet mbikëqyrëse, me qëllim të ruajtjes së faunës së egër dhe garantimit të sigurisë publike.
