Gjermania i dhuron rreth 3 milionë euro FSK-së për forcimin e kapaciteteve
Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshje për një donacion prej rreth tre milionë eurosh, i cili synon forcimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Marrëveshja është pjesë e projektit gjerman “Enable & Enhance Initiative” dhe është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, dhe atasheu gjerman i mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Guido Altendorf.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, projekti synon të rrisë kapacitetet operacionale të FSK-së dhe të kontribuojë në përmbushjen e misionit dhe detyrave të saj.
“Ky projekt është vazhdimësi e projekteve të realizuara deri më tani në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Dugolli falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të zgjerohet përmes projekteve dhe nismave të reja.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë dhe Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
