Kosova dhe Serbia të mërkurën takohen në Bruksel për të pagjeturit: Adresohen kërkesa kyçe
Më 15 janar, në kryeqytetin belg, Bruksel, do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë takim, pritet të marrin pjesë përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, si dhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ky takim ka për qëllim të përcaktojë një plan pune konkret për seancat e ardhshme dhe të adresojë disa çështje shumë të rëndësishme për familjarët e të zhdukurve.
“Në këtë takim, delegacioni ynë do të paraqesë disa kërkesa kyçe, që lidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur. Do të fokusohemi në mënyrë të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek presidenti serb Vuçiq, si dhe në çështje të tjera që janë thelbësore për të ndriçuar fatin e të zhdukurve”, u shpreh Hoti.
Kjo mbledhje konsiderohet një hap i rëndësishëm në drejtim të zbatimit të “Deklaratës për Personat e Zhdukur”, një marrëveshje e arritur më 2 maj 2023. Familjarët e të zhdukurve shpresojnë se ky takim do të sjellë rezultate konkrete dhe do t’i afrojë një hap më afër të vërtetës për të dashurit e tyre.