Andin Hoti: BE ndan 31.8 milionë euro për punësimin, arsimin dhe të rinjtë në Kosovë
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka miratuar 31.8 milionë euro për investime në punësim, arsim dhe fuqizimin e të rinjve në Kosovë, në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027.
Foto: Ilustrim
Sipas Hotit, ky investim është pjesë e paketës prej 180.5 milionë eurosh të miratuar nga BE-ja dhe do të mbështesë konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, me fokus të veçantë në Skemën e Garancisë për të Rinj.
Ai theksoi se synimi i kësaj reforme është që çdo i ri në Kosovë, brenda një periudhe të shkurtër pas përfundimit të shkollimit ose mbetjes pa punë, të ketë mundësi të përfshihet në punësim, arsim, aftësim profesional ose praktikë pune.
Hoti e cilësoi këtë financim si dëshmi të besimit të Bashkimit Evropian në reformat që po zbatohen në Kosovë dhe në vizionin për zhvillimin e vendit.
Në fund, ministri shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e të rinjve, zhvillimin e arsimit dhe avancimin e mundësive për punësim në Republikën e Kosovës.
