Ministri Hoti kërkon verifikim institucional për ekspozitën e luftës në Prishtinë

27.03.2026

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj ekspozimit të materialeve me pasaktësi për krimet e luftës në sheshin e Prishtinës, duke e cilësuar këtë veprim si cenim të drejtpërdrejtë të së vërtetës historike.

Përmes një reagimi publik, Hoti ka theksuar se në kuadër të një ekspozite për masakrat e luftës 1998/99 janë evidentuar gabime serioze dhe shtrembërime të fakteve.

Ai ka përmendur konkretisht rastin e Masakra e Krushës së Madhe, ku sipas tij janë paraqitur pasaktësi si në numrin e viktimave, ashtu edhe në narrativën se gratë dhe fëmijët janë “lejuar” të largohen.

Sipas Hotit, kjo nuk qëndron, pasi në këtë masakër janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, ndërsa popullata nuk është lejuar, por është deportuar me dhunë drejt Shqipërisë.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për paraqitjen e Masakra në Burgun e Dubravës, ku sipas tij numri i viktimave nuk përputhet me të dhënat e konfirmuara dhe disa prej tyre janë paraqitur gabimisht si persona të armatosur.

Hoti ka theksuar se të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë të pambrojtur dhe nën kontroll të plotë të forcave serbe.“Këto nuk janë gabime teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme”, ka deklaruar ai.

Ministri ka bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të materialeve me pasaktësi dhe për një verifikim të plotë institucional të përmbajtjes së ekspozitave publike.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, që ta shqyrtojnë këtë çështje.

Hoti ka përfunduar se e vërteta për krimet e luftës në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet, duke e cilësuar atë si themel të drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave dhe historisë së vendit.