Hoti: 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

07.10.2026

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti njoftoi se për këtë program janë ndarë 15 milionë euro, të cilat do të përdoren për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

Ai tha se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për përfituesit, pas së cilës do të hapet edhe thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përfshirë krijimin dhe mirëmbajtjen e një regjistri funksional të konsumatorëve të cenueshëm.

Në të njëjtin njoftim, Hoti i ka uruar sukses presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim institucional në çështjet që i shërbejnë interesit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.