Kontrata kolektive e lidhur në Qeverinë Hoti, u shkëput nga Qeveria Kurti, gjykatat po vendosin në favor të mësimdhënësve
Kontrata kolektive në fjalë ishte nënshkruar nga SBASHK dhe Qeveria e Kosovës në 21 janar 2021, gjatë kohës kur kryeministër në detyre kishte qenë Qeveria e Avdullah Hotit, dhe ministër i arsimit Ramë Likaj
Asokohe kryeministri Hoti kishte thënë se, me përfaqësuesit e SBASHK-ut janë pajtuar që të punësuarve në arsimin para universitar t’u paguhet paga e 13-të duke filluar nga vitit 2023, bazuar në performancën e tyre.
Në nëntor të vitit 2022 Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nën Qeverinë e Albin Kurtit, dhe ministre Arbërie Nagavci, kishte shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, të nënshkruar më 22 janar të vitit 2021.
Asokohe nga SBASHK-ut, kishin bërë me dije se shkëputja e kontratës kolektive në një mënyrë të tillë është e paligjshme dhe sipas saj nuk i kontribon aspak dialogut social.
“Nëse shkëputja bëhet vetëm nga njëra palë, atëherë është një shkëputje e një anëshme dhe e paligjshme dhe nuk i kontribon aspak dialogut socail, ngase janë të cekura edhe procedurat se si bëhet shkëputja e një kontrate të tillë kolektive”, kishte thënë Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut.
n1Edhe pse kontrata ishte shkëputur njëanshëm nga MASHT, për SBASHK-un ajo ende është në fuqi, ku Rrahman Jashari kishte thënë se të gjitha kërkesat dhe të drejtat që janë aty [në kontratë kolektive], ose do t’i arrijmë përmes diskutimeve me nivelin komunal, sepse ai është punëdhënës, ose mësimdhënësit do të vazhdojnë t’i dërgojnë rastet në gjykata, të cilat, deri më tani, i kemi fituar të gjitha.
Ish-kryeministri Hoti e ka cilësuar si marrëzi këtë veprim Qeverisë Kurti duke thënë se vendimi e veprimi është politik.
“Arsyetimi i Ministrisë së Arsimit për shkëputjen e njëanshme të Kontratës Kolektive është marrëzi.
Ky veprim është një tjetër shkelje ligjore e Qeverisë“, shkroi ai.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë Hoti e ka bërë të qartë se vendimet e asaj qeverie mbesin në fuqi. Ato vendime e kanë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e plotë, sepse ajo Qeveri është votuar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ato vendime nuk mund të kontestohen nga askush me vendime dhe veprime politike“, ka thënë Hoti.
Me kompensimin e mësimdhënësve janë përballur të gjitha komunat e Kosovës.
Kjo situatë e rrezikon buxhetin, sepse prishen planifikimet buxhetore në të gjitha kategoritë ekonomike, si: mallrat, pagat, investimet kapitale, dhe nuk mund të realizohen projekte të ndryshme të investimeve.