“Baba i grevave” njofton për protestë të punëtorëve të arsimit më 4 dhjetor
Punëtorët e arsimit në Kosovë do të dalin në protesta më 4 dhjetor, në shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit. Kështu ka njoftuar për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj.
Shkaku kryesor i kësaj proteste është dështimi i negociatave për Kontratën Kolektive, për të cilën Jasharaj fajëson drejtpërdrejt ministren e Arsimit, Arta Nagavcin. Sipas tij, ministrja dhe qeveria kanë bërë çdo përpjekje që të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje.
“Ajo që dihet tanimë është se po më 4 dhjetor do të ketë protestë dhe presim që të jetë një numër i madh pjesëmarrës,” tha Jasharaj. “Kjo protestë i adresohet më shumë Ministrisë së Arsimit, ngase zonja Nagavci ka treguar një qasje negative ndaj Kontratës Kolektive.”
Përveç kërkesës për një Kontratë Kolektive, sindikata po kërkon edhe rritje të pagave me 30 për qind për të gjithë punëtorët e arsimit. Sipas tyre, kjo rritje është e nevojshme për të përmirësuar kushtet e jetesës së mësuesve dhe stafit shkollor, të cilët janë një nga shtyllat kryesore të sistemit arsimor.