Gati 6 milionë euro, detyrimet gjyqësore në Suharekë u rritën për 325% në 2024, investimet kapitale u bllokuan
Një raport i fundit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka ngritur alarmin mbi një problem në rritje që po prek thellë financat e komunave të Kosovës: pagesat nga detyrimet gjyqësore dhe përmbarimore.
Foto: Ilustrim
Sipas raportit vjetor financiar për vitin 2024, shpenzimet e komunave për këtë qëllim arritën në 86.4 milionë euro, shifër kjo që paraqet një dyfishim krahasuar me vitin 2023 dhe një trefishim krahasuar me vitin 2022.
Kjo rritje e paprecedentë ka detyruar disa komuna të kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria qendrore dhe të pezullojnë projekte të rëndësishme për investime kapitale. Një ndër komunat më të prekura nga kjo situatë është Suhareka me gjithsej 5,722,098 euro të marra nga procedurat.
Për Suharekën, pagesat për detyrimet gjyqësore kanë shënuar një rritje dramatike. Të dhënat tregojnë një rritje prej 325% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2022.
- 2024: 4,133,857 euro
- 2023: 615,959 euro
- 2022: 972,282 euro
Kjo barrë financiare kulmoi në tetor të vitit 2024, kur Komuna e Suharekës u njoftua nga institucionet qendrore për bllokimin e llogarive të saj bankare. Ky bllokim erdhi si pasojë e ekzekutimit të vendimeve përmbarimore, kryesisht të lidhura me detyrimet ndaj punëtorëve të sektorit publik, sidomos në arsim, si rezultat i kontratës kolektive.
Rasti i Suharekës, i cili kërkoi edhe mbështetje financiare nga qeveria, nxjerr në pah rrezikun serioz që paraqesin këto detyrime për funksionimin normal të qeverisjes lokale. Ndërsa komunat përpiqen të përmbushin planet e tyre për investime kapitale dhe shërbime publike, vendimet gjyqësore dhe përmbarimore po u shkaktojnë dëme të mëdha financave të tyre.