SBASHK paralajmëron protestë, kërkon kontratën e re kolektive

26.11.2024

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka njoftuar se do të mbajë një protestë më 4 dhjetor para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Qeverisë së Kosovës.

SBASHK paralajmëron protestë, kërkon kontratën e re kolektive

Kjo lëvizje e sindikatës vjen si pasojë e mungesës së dialogut me institucionet dhe mosplotësimit të kërkesave të tyre.

Paga e ulët dhe mungesa e kontratës kolektive, shqetësimet kryesore

Një nga shqetësimet kryesore të mësimdhënësve është paga e ulët. Sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, rritja e propozuar prej 55 eurosh nuk është asgjë më shumë se një mashtrim dhe nuk ndikon në përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.

“Ngritja eventuale 55 euro nuk ndryshon asgjë në jetesën e punëtorëve të arsimit dhe të gjithë sektorëve të tjerë. Edhe është e vogël edhe është mashtrim dhe prandaj e kemi një arsye shtesë”, thekson Jasharaj.

Përveç kësaj, SBASHK po kërkon me ngulm nënshkrimin e një kontrate kolektive të re. Edhe pse drafti i kontratës është dorëzuar në tetor, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Ministria e Arsimit.

“Arsyeja është kontrata kolektive pasi me ligjin e punës çdo tri vite sektorët duhet të nënshkruajnë kontrata të reja. Ne me kohë e kemi përgatit që në korrik e kemi biseduar me zëvendësministrin Kelmendi ja kemi treguar që jemi në përgatitje ja kemi dërguar me kohë draftin e kemi lëshuar në diskutim publik me 2 tetor ja kemi dërguar fizikisht me 3 tetor ja kemi dërguar në mënyrë elektronike por që nga ajo kohë nuk kemi asnjë ftese”, shprehet kreu i SBASHK-ut.

Etiketat

Ofertat e fundit