Konjufca takoi shefin e EULEX-it, flasin për bashkëpunim në fushën e sundimit të ligjit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.
Përmes një njoftimi të lëshuar nga faqja zyrtare e Kuvendit, thuhet se gjatë takimit u diskutua për çështje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe EULEX-it, sa i përket fushës së sundimit të ligjit.
Njëherit, të dyja palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim të vazhdueshëm.
“Në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, sa i përket fushës së sundimit të ligjit, nga perspektiva e aktualitetit dhe synimeve të përbashkëta për ligjshmëri të kudogjendur, demokraci vibrante dhe stabilitet afatgjatë. Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm e gjithnjë e më substancial, me qëllimin përparimin gjithnjë e më të madh në drejtim të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, kryekuvendari ka falënderuar Barbanon për vizitën, teksa e ka vlerësuar kontributin e Misionit të BE-së në Kosovë.
“Ai u shpreh se ky kontribut i ka dhënë efektet e tij edhe në kapacitetet e Republikës së Kosovës për t’u përballur me të gjitha sfidat që gjenden përpara”, thuhet tutje.
Në përfundim, thuhet se shefi i EULEX-it, ka falënderuar Konjufcën për pritjen, njëherit ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim më të thellë në drejtim të sundimit të ligjit.