Konjufca nga Roma: Zgjerimi i BE-së është investim strategjik në sigurinë dhe të ardhmen e Evropës
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se në Romë ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të grupit “Friends of the Western Balkans”.
Foto: Ilustrim
Konjufca ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk duhet të shihet vetëm si proces institucional, por si një investim strategjik në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe unitetin e kontinentit evropian.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe bashkëpunimit rajonal”, ka shkruar Konjufca, duke shtuar se një proces zgjerimi i bazuar në merita i shërben jo vetëm vendeve aspiruese, por edhe vetë të ardhmes së Evropës.
Ai ka falënderuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, për mikpritjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të Italisë në mbështetje të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.
Takimi i grupit “Friends of the Western Balkans” u fokusua në perspektivën evropiane të rajonit, reformat dhe rëndësinë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian.
