Tetë kompani nga Kosova në “SIAL Paris 2026”, mes tyre edhe Frutex me Golden Eagle dhe ZEROS

1 orë

Tetë kompani prodhuese nga Kosova po prezantojnë produktet e tyre në panairin ndërkombëtar të industrisë së ushqimit dhe pijeve “SIAL Paris 2026”, i cili po mbahet nga 17 deri më 21 tetor në Paris të Francës.

Në mesin e kompanive pjesëmarrëse është edhe Frutex LLC, me markat e saj Golden Eagle dhe ZEROS, të cilat po prezantohen para blerësve, distributorëve dhe partnerëve potencialë ndërkombëtarë.

Pas zhvillimit të Frutex qëndron edhe sipërmarrësi Shaqir Palushi, i lidhur me rritjen e kompanisë dhe promovimin e markave të saj në tregjet ndërkombëtare. Pjesëmarrja në një panair të këtij niveli përbën një mundësi për prezantimin e produkteve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e pranisë në tregjet e huaja.

Përveç Frutex, në panair po marrin pjesë edhe kompanitë Abi Progres, Eurofood, Camel, Royal Beverage, BBF Company, Frutti, Vitafood dhe Agro-Florentina, të cilat po prezantojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe një gamë të gjerë produktesh ushqimore e pijesh.

Pjesëmarrja e kompanive kosovare është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), me qëllim promovimin e produkteve vendore dhe krijimin e mundësive të reja për eksport.

Në stendën nacionale të Kosovës, me sipërfaqe prej 85 metrash katrorë, po ekspozohen produkte të ndryshme, përfshirë pije, lëngje frutash, produkte të konservuara, biskota, vafera, produkte organike, kërpudha, fruta mali dhe bimë mjekësore e aromatike.

Stendën e Kosovës e ka vizituar edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Lulzim Hiseni, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij. Ai është njohur nga afër me produktet e kompanive kosovare dhe ka shprehur interesim për mundësitë e bashkëpunimit me institucionet dhe aktorët përkatës në Francë, për të lehtësuar qasjen e tyre në tregun francez.

Pjesëmarrja e Frutex dhe e kompanive të tjera kosovare në “SIAL Paris 2026” dëshmon potencialin e prodhuesve vendorë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare, si dhe rëndësinë e promovimit të produkteve të Kosovës përtej kufijve.

Panairi, i cili mbledh prodhues, distributorë dhe profesionistë të industrisë ushqimore nga e gjithë bota, do të jetë i hapur deri më 21 tetor 2026.