SHBA-ja reagon për protestat në Shqipëri, kërkon ndaljen e dhunës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje, pas përshkallëzimit të protestave studentore kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Reagimi i Ambasadës amerikane erdhi më 17 tetor, në ditën e pestë të protestave në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme ndërmjet protestuesve dhe forcave të policisë.
Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Ambasada theksoi se dhuna, lëndimi fizik i personave dhe shkatërrimi i pronës nuk përfaqësojnë angazhim qytetar, duke u bërë thirrje qytetarëve që të drejtën e protestës ta ushtrojnë në mënyrë paqësore.
Për situatën në Shqipëri kanë reaguar edhe tre kongresistë amerikanë.
Kongresmeni republikan Joe Wilson është shprehur i shqetësuar për përshkallëzimin e krizës, duke kërkuar nga Qeveria shqiptare të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Ai theksoi se qytetarët shqiptarë meritojnë liri, sundim të ligjit dhe institucione që japin llogari.
Edhe kongresmeni Robert Aderholt kërkoi respektimin e të drejtave të protestuesve paqësorë, duke bërë thirrje që të gjitha palët ta refuzojnë dhunën.
Ndërkaq, kongresmeni Keith Self i ndërlidhi protestat me pakënaqësinë e qytetarëve ndaj korrupsionit dhe mungesës së respektimit të sundimit të ligjit. Sipas tij, udhëheqësit shqiptarë duhet t’i dëgjojnë kërkesat për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijonin mundësi ekonomike dhe do të kontribuonin në stabilitetin rajonal.
Protestat e të rinjve në Shqipëri kanë hyrë në ditën e pestë, ndërsa reagimet nga SHBA-ja vënë theksin te respektimi i të drejtës për protestë paqësore dhe shmangia e dhunës nga të gjitha palët.
