Fandaj: Paraja publike nuk është pronë e qeverisjes së Bali Muharremajt!
Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Suharekës, Liridon Fandaj, ka reaguar lidhur me ndërhyrjet që po bëhen në rrugët e qytetit, të cilat, sipas tij, janë asfaltuar pothuajse një vit më parë.
Sipas tij, qytetarët meritojnë të dinë se kush mban përgjegjësi për dëmtimin e infrastrukturës rrugore dhe shpenzimet që mund të shkaktohen nga ndërhyrjet e përsëritura.
“Qeverisja e Bali Muharremaj duhet t’u japë përgjigje qytetarëve: ku është koordinimi mes projekteve dhe kush mban përgjegjësi për dëmtimin e rrugëve dhe shpenzimin e dyfishtë të parasë publike?”, ka deklaruar Fandaj.
Në fund të reagimit të tij, asambleisti i VV-së ka theksuar se fondet publike duhet të menaxhohen me përgjegjësi dhe transparencë.
“Paraja publike nuk është pronë e qeverisjes, por e qytetarëve të Therandës!”, ka përfunduar ai.
