Dimër i vështirë për mijëra familje në Kosovë, ngrohja mbetet luks për shumë prej tyre

19.10.2026

Varfëria energjetike vazhdon të mbetet një ndër sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike në Kosovë. Rreth 21,6% e ekonomive familjare, apo afërsisht 79 mijë familje, nuk kanë pasur mundësi t’i ngrohin shtëpitë në mënyrë adekuate gjatë vitit 2024.

Këto të dhëna janë publikuar në raportin e ri të politikave nga Atlas Institute, në partneritet me Fondacionin Heinrich Böll, i cili trajton lidhjen ndërmjet varfërisë energjetike, pabarazisë gjinore dhe kushteve të jetesës në Kosovë.

Sipas raportit, situata mbetet shqetësuese edhe sa i përket përballimit të faturave. Të dhënat e MICS 2025 tregojnë se 28,3% e popullsisë jeton në familje që kanë pasur vonesa në pagesën e shërbimeve për shkak të vështirësive financiare, ndërsa 13,9% nuk arrijnë ta mbajnë banesën mjaftueshëm ngrohtë.

Familjet e varfra varen kryesisht nga ngrohja me dru

Raporti evidenton se 63,8% e banesave në Kosovë ngrohen kryesisht me dru, ndërsa rreth 30% përdorin energjinë elektrike. Te shtresat më të varfra, varësia nga druri është edhe më e theksuar.

Kjo nxjerr në pah një mangësi të skemave ekzistuese të subvencionimit, të cilat janë përqendruar kryesisht në uljen e faturave të energjisë elektrike, duke mos mbuluar mjaftueshëm familjet që furnizohen me dru para fillimit të dimrit.

Përveç kostos së ngrohjes, gjendjen e rëndojnë edhe kushtet e banimit. Rreth 24,5% e familjeve jetojnë në hapësira me lagështi, ndërsa 16,4% përballen me probleme të kulmeve që rrjedhin.

Gratë mbeten të nënpërfaqësuara në subvencionet e energjisë

Një tjetër gjetje shqetësuese lidhet me pabarazinë gjinore. Ndonëse gratë drejtojnë rreth 12,6% të ekonomive familjare në Kosovë dhe përballen me cenueshmëri më të lartë ekonomike, vetëm 9,7% e kontratave përfituese të subvencioneve të energjisë janë regjistruar në emër të tyre.

Gjendje veçanërisht e rënduar evidentohet edhe te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Sipas raportit, 29,7% e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve nuk arrijnë t’i mbajnë banesat mjaftueshëm ngrohtë, ndërsa 55,9% përballen me vonesa në pagesën e faturave.

15 milionë euro për programin e ri të mbështetjes

Në kuadër të përgjigjes institucionale, Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro për programin e mbështetjes së konsumatorëve të cenueshëm për periudhën 2026–2027.

Ndërkohë, Projektligji për Energjinë, i miratuar nga Qeveria në shtator të këtij viti, parasheh krijimin e një regjistri gjithëpërfshirës të konsumatorëve të cenueshëm deri në dhjetor 2026.

Raporti rekomandon që mbështetja shtetërore të mos përcaktohet vetëm nga të ardhurat familjare, por të marrë parasysh edhe burimin e ngrohjes, kushtet e banimit, përbërjen familjare dhe pabarazitë gjinore.

Po ashtu, kërkohet që subvencionet sezonale të shoqërohen me investime afatgjata në renovimin e banesave dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë, në mënyrë që familjet më të cenueshme të mos përballen çdo dimër me të njëjtat vështirësi.